Konferencë për shtyp

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, sot së bashku me drejtorin e Drejtorisë së Shëndetësisë, Visar Shehu, kanë mbajtur konferencë për shtyp për të njoftuar qytetarët rreth zhvillimeve të fundit me virusin COVID-19 dhe aktivitetet e ndryshme të Komunës që po bëhen në këtë drejtim.

Kryetari Haskuka fillimisht i falenderoi të gjithë punëtorët që po angazhohen për të mirën e qytetarëve gjatë kësaj kohe të pandemisë, duke veçuar posaçërisht punëtorët e sektorit shëndetësor.

Duke pasur parasysh rritjen e numrit të rasteve pozitive në Kosovë, që tashmë ka arritur numrin 480, kryetari bëri thirrje për të shtuar kujdesin, ngase ky numër mund të rritet akoma më shumë dhe më shpejt në të ardhmen.

Numri i rasteve pozitive në Prizren tanimë është 28, ku prej të cilëve 4 janë në klinikën infektive në QKUK në Prishtinë, 21 raste janë në vetizolim, 2 raste janë të shëruar dhe 1 rast fatkeqësisht ka përfunduar me vdekje. Ndërsa në aspekt të testime, nga 15 testimet e realizuara dje nga rastet e kontaktit, fatmirësisht asnjë rast nuk ka rezultuar pozitiv.

Me qëllim të përmirësimit të gjendjes, kryetari tha se Komuna është në koordinim të plotë me institucionet qendrore për implementimin dhe respektimin e masave mbrojtëse, ndërsa krahas kësaj është duke vijuar puna edhe me aktivitete të ndryshme shtesë për parandalim të përhapjes së virusit dhe për lehtësim të gjendjes ekonomike të qytetarëve.

Ai shtoi se një prej masave të fundit të ndërmarra nga ana e Komunës është edhe krijimi i qendrës së triazhimit në qendrat e mjekësisë familjare, për të bërë kontrollet paraprake të pacientëve nëse janë të infektuar me virusin COVID-19.

Lidhur me shpërndarjen e pakove ushqimore, kryetari bëri të ditur se ato po shpërndahen për familjet në nevojë, identifikimi i të cilave po bëhet nga ana e Qendrës për Punë Sociale dhe kryetarëve të fshatrave e të bashkësive lokale, por ndërkohë kërkesat janë pranuar edhe nga Qendra e Thirrjeve, të cilat më pas janë verifikuar nëse vërtetë këto familje kanë nevojë për ndihmë.

Deri më tani janë shpërndarë gjithsej 1636 pako ushqimore për familjet në nevojë dhe ndihmat e tilla do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Një numër i konsideruar i këtyre pakove janë mundësuar nga donatorët e ndryshëm, për të cilët kryetari Haskuka shprehu falenderimet e tij në emër të të gjithë qytetarëve.

Kryetari gjithashtu kujtoi se Komuna e Prizrenit është komuna e parë që ka ofruar mbështetje psikologjike për qytetarë nëpërmjet linjës online, dhe këtë shërbim qytetarët mund ta marrin duke thirrur në numrat e telefonit të Qendrës së Thirrjeve 0800 19 200 dhe +38345119200 në Viber dhe WhatsApp, apo duke vizituar faqen shendetimendor.uni-pr.edu.

Një tjetër masë që është marrë është edhe dezinfektimi i hapësirave publike dhe jopublike, gjë për të cilën Komuna ka zhvilluar aktivitetet e saja që nga ditët e para të pandemisë, ku janë dezinfektuar të gjitha qendrat shëndetësore, objektet komunale, institucionet e tjera, banesat kolektive, hapësirat publike etj., që në total i bie se janë dezinfektuar 145 mijë metra katror hapësirë.

Kryetari foli edhe për qytetarët të cilët kanë nevojë të marrin leje për qarkullim jashtë orarit të përcaktuar për shkak të natyrës së punës që kanë, duke njoftuar se për këtë duhet të dërgojnë kërkesë në email adresën: shtabiemergjent.kpz@gmail.com.

Për fund, kryetari shtoi se në bashkëpunim me kryetarët e fshatrave dhe të bashkësive lokale janë krijuar shtabet lokale, gjë që ka mundësuar një organizim më të zgjeruar dhe më efikas të punës së përgjithshme të Komunës në luftën ndaj pandemisë COVID-19.

Në anën tjetër, drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë, Visar Shehu, i cili njëkohësisht është edhe koordinator i Shtabit Emergjent Komunal, tha se ekipet shëndetësore janë duke vazhduar punën e tyre të kujdestarisë në pikën kufitare në Vërmicë, për të kontrolluar gjendjen shëndetësore të personave që futen brenda kufijve të shtetit dhe angazhimi i tyre do të vazhdojë deri në tejkalim të kësaj pandemie.

Ai shtoi se të gjitha qendrat e mjekësisë familjare tashmë kanë numra të telefonit të publikuara, tek të cilat mund të qasen qytetarët për çfarëdo informate të nevojshme.

Lidhur me fshatin Korishë, i cili tashmë ka dalur nga zona e karantinimit, drejtori Shehu tha se tre infermierë nga QMF-ja e këtij fshati janë në vetizolim për shkak se kanë patur kontakt me pacienten nga ky fshat e cila tashmë ka ndërruar jetë, megjithëse asnjëri prej tyre deri më tani nuk ka pasur simptome të virusit COVID-19.

Ndërsa sa i përket fshatit Skorobisht i cili gjendet në karantinë, tha se është bërë dezinfektimi i AMF-së, mjekët dhe infermierët janë pajisur me pajisje mbrojtëse, është shtuar orari i punës për stafin shëndetësor dhe janë dhënë medikamente shtesë për këtë qendër mjekësore, që mund t’i mbulojë të gjithë të sëmurit me sëmundje kronike për gjatë një muaji.

Krejt në fund drejtori Shehu theksoi se në komunën e Prizrenit deri më tani janë bërë gjithsej 96 testime për rastet e dyshimta me COVID-19, ndërsa në dy ditët e ardhshme do të ketë edhe testime të tjera, për të cilat shpreson që nuk do të ketë raste pozitive.

Komuna e Prizrenit